Sufiçiti primar i Greqisë – KE projekton tejkalimin e kushtit të kreditorëve në 2018

Sipas Komisionit Europian, Greqia do të ketë një sufiçit primar në buxhet prej 3.7% në raport me produktin e brendshëm Bruto në vitin që vjen, duke kaluar kështu kushtin prej 3.5% të caktuar nga kreditorët.
Niveli i sufiçitit primar të Greqisë në vitin që vjen, që është bilanci i buxhetit pa përfshirë koston e shërbimit të borxhit, do të sjellë një harmoni mes qeverive të Eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që e pret shifrën në 1.5%.
Mbajtja e sufiçitit në nivele të larta për një periudhë të gjatë nënkupton një nevojë më të ulët të Greqisë për lehtësim të mëtejshëm të borxhit.
Komisioni Europian parashikon që borxhi i Greqisë do të bjerë në 177.2% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto këtë vit, nga 179.2% që ishte në 2016-ën.
Megjithatë, FMN këmbëngul se borxhi i Greqisë është ende në nivele jashtëzakonisht të larta dhe se vendit i duhet një lehtësim.
Megjithatë, sipas Gjermanisë, nëse Greqia i zbaton të gjithë reformat e rëna dakord, lehtësimi i borxhit nuk do të jetë i nevojshëm. Komisioni pret që ekonomia e Greqisë të rritet me 2.7% në 2017-ën dhe 3.1% në vitin e ardhshëm.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.