Sufiçiti tregtar i Italisë – Nivel rekord për 2016, vjen pas Gjermanisë dhe Holandës

Italia ka publikuar një sufiçit tregtar global në nivel rekord, nxitur nga eksportet e mëdha në Japoni e Kinë dhe prej rënies së importeve nga Rusia.
Sufiçiti tregtar global i Italisë arriti 51.56 miliardë euro në 2016-ën, që është niveli më i lartë i të gjitha kohërave, tregon zyra Kombëtare e Statistikave, ISTAT. Në 2015-ën, Italia kishte një sufiçit prej 41.8 miliardë euro.
Eksportet drejt Japonisë u rritën me më shumë se 10% në vitin që kaloi, ndërsa ato në Kinë, me 6.4%.
Importet nga Rusia, e cila është goditur prej sanksioneve europiane, ranë me 26% për 2016-ën, gjë që solli edhe sufiçitin gjigant.
Të dhënat ofrojnë një nxitje për ekonominë, që u rrit me gjysmën e normës së vendeve të tjera në Eurozonë. Duke përjashtuar produktet e energjisë, Italia do të kishte një sufiçit prej 77.9 miliardë euro vitin e kaluar.
Në muajin Dhjetor, sufiçiti tregar me pjesën tjetër të botës, arriti në 5.8 miliardë euro në rritje nga5.6 që ishte në të njejtën periudhë një vit më parë.
Me vendet e Bashkimit Europian, Italia regjistroi një sufiçit tregtar për muajin Dhjetor në 124 milionë euro, krahasuar ne një defiçit prej 301 milionë në të njëjtën periudhë një vit më parë, tregon ISTAT.
Sipas zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian, Italia regjistroi sufiçitin e tretë më të madh tregtar në Bashkimin Europian në vitin që kaloi, pas Gjermanisë me 257.3 miliardë euro dhe Holandës 59.9 miliardë euro.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.