Suficiti tregtar i BE me SHBA – Rritet në 120.8 mld euro në 2017, shton tensionet mes vendeve
Suficiti tregtar i Bashkimit Europian me Shtetet e Bashkuara u rrit me 6.8% gjatë vitit të kaluar, pavarësisht kërcënimeve nga presidenti Donald Trump, që e ka cilësuar marrëdhënien mes vendeve si të padrejtë. BE regjistroi një suficit tregtar me SHBA më 120.8 miliardë euro në 2017-ën, në rritje nga 113.1 miliardë në vitin 2016, sipas të dhënave të Eurostat.
Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 375 miliardë euro në vitin e kaluar, nga 363.5 miliardë një vit më parë, ndërsa importet u rritën në 254.2 miliardë euro, krahasuar me 250.4 mld në 2016-ën. Të dhënat vijnë në një kohë që BE po ndjek një qasje të lirisë tregtare përballë qëndrimit anti-globalizim të Donald Trump dhe përballë përgatitjes për daljen e Britanisë në Mars 2019.
Bashkimi Europian ka nisur pakte të tregtisë së lirë me Kanadanë dhe Japoninë së fundmi dhe po përpiqet të arrijë një dakordësi me Amerikën Latinë, Australinë dhe Zelandën e Re. Këto lëvizje vijnë në një kohë të rritjes së tensionit mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara mbi mundësinë e përplasjeve tregtare, ndërkohë që Washingtoni ka kërcënuar se do të kufizojë blerjet e çelikut dhe aluminit.
Në fund të muajit Janar, Bashkimi Europian dha paralajmërimin e fundit ndaj Trump për frenimin e importeve në Europë, duke ngritur shqetësimet mbi rrezikun e një lufte trans-atlantike. Alarmi nga Komisioni Europian vjen gjithashtu pas vendimit të Trump në Janar për të vendosur tarifa në importet e paneleve diellorë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.