Sulm kibernetik global – Preken mijëra kompjutera në 100 vende të botës

Një sulm global kibernetik ka prekur me dhjetëra mijëra kompjutera në shumë vende të botës, duke filluar nga Argjentina e deri në Spanjë. Sulmi është zhvilluar në rreth 100 vende të botës dhe ka dëmtuar sistemin shëndetësor në Britani apo kompaninë e dërgesave postare, FedEx.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një sulm përmes një programi që quhet “Ransomware” dhe që kërkon një pagesë prej 300 deri në 600 dollarë në “Bitcoin” për t’i kthyer pajisjet në gjendjen fillestare. Autoritetet e sigurisë kibernetike, deklarua se disa persona që kanë qenë viktima të këtij sulmi kanë kryer pagesën, pa e ditur se çfarë përqindje kishin paguar.
Kompania që ka krijuar antivirusin Avast, deklaroi se ka evidentuar 57 mijë infektime në 99 vende të botës, duke përfshirë Rusinë, Ukrainën, Britaninë dhe Taivanin, si vendet më të prekura. Edhe agjencia kineze e lajmeve, Xinhua raportoi se disa shkolla dhe universitete në vend janë prekur nga ky sulm.
Sulmet më të dëmshme janë raportuar në Britaninë e Madhe, ku spitalet dhe klinikat u detyruan në largonin pacientët e tyre, pasi e humbën aksesin në kompjuterat e tyre. Edhe transportuesi ndërkombëtar i mallrave, FedEx, deklaroi se, disa kompjutera me sistem operativ Windows, ishin infektuar. Në shënjestër të këtij sulmi kanë qenë edhe organizatat ndërkombëtare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.