Sulm ndaj valutave dixhitale – Tether: Vidhen monedha me vlerë në 31 milionë dollarë
Tether, një start-up që ofron monedha dixhitale të mbështetura në dollar, deklaroi në fillim të kësaj jave se ka patur ndërhyrje në sisteme, sipas CoinDesk. Tether raportoi se monedha me vlerë prej 31 milionë dollarë ishin vjedhur.
Sipas një postimi në faqen në web, Tether bëri të ditur se një sulm keqbërës nga hackera të huaj rezultoi në vjedhjen e monedhave. Sipas Coindesk, në postimin e fshirë më vonë nga kompania, tregohej se Tether po përpiqet të rikthejë monedhat e humbura duke parandaluar hyrjen e tyre në tregun e gjerë të kriptovalutave.
Sipas firmës, procesi përfshin ndalimin e përkohshëm të shërbimit të portofolit dhe gjithashtu ofrimin e një software të përditësuar për të ndaluar që monedhat e vjedhura të shkojnë në adresën e hacker-ave.
Analistët thonë se lajmet mbi sulmin kanë patur lidhje me luhatjen e Bitcoin, që humbi thuajse 430 dollarë në vlerë në 1 orë e gjysmë.
Në faqen në web, Tether pohon se monedhat janë të mbështetura me para me kurs ligjor, që parandalon luhatjen e vëzhguar te valutat dixhitale. Sipas firmës, monedhat mbështeten me dollar, euro dhe së shpejti edhe me jen japonez.
Klevis Llaha/SCAN
“Ethet” e monedhave virtuale, çfarë po ndodh në Shqipëri? Bizneset e kompjuterave pohojnë kërkesën për sisteme të afta për “gërmime”
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.