Sulmi i SHBA në Siri – Reagojnë tregjet. ari, nafta dhe jeni rriten ndjeshëm

Investitorët prisnin një sesion tregtar normal ditën e Premte, ku eventi kryesor ishte takimi i Donald Trump me presidentin kinez Xi Jinping.
Megjithatë, kundërpërgjigja e Trump ndaj sulmit vdekjeprurës të pak ditëve më parë në Siri, solli një reagim direkt në tregtimin e aksioneve, lëndëve të para dhe valutave.
Shtetet e Bashkuara lëshuan raketa kundër një baze ajrore në Siri të kontrolluar nga forcat e Bashar al-Assad.
Si gjithmonë gjatë këtyre ndodhive, ari pati një rritje të fortë. Metali i çmuar arriti nivelin më të lartë në 5 muaj, në 1267 dollarë për onz, ndërkohë që investitorët e blenë për të mbrojtur portofolet e tyre.
Duke qenë se sulmi ndodhi gjatë sesionit tregtar aziatik, reagimi i investitorëve u reflektua te valuta japoneze, që u rrit në 110 për dollar.
Duke u përballur me çështjen më të vështirë të politikave të jashtme që kur mori detyrën, Trump ka ndërmarrë veprimin më të ashpër deri më tani në luftën civile 6-vjeçare të Sirisë, duke shtuar rreziqet për një përballje me Rusinë dhe Iranin.
Perspektiva për tensione me Lindjen e Mesme, solli një rritje me sipër 2% të çmimeve të naftës, pasi investitorët e lidhin ndodhinë me prodhimin e arit të zi.
Shqetësimet mbi përshkallëzimin e konflikteve në këtë rajon, u reflektuan edhe në hapjen e sesionit tregtar Europian, ku të gjithë indekset kryesorë të titujve të kapitalit rezultuan në rënie.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.