Sulmi ransomware “paralizon” globin – Është goditur edhe Shqipëria

Sulmi kibernetik i fundjavës, më i madhi në histori për nga përmasat, ka prekur më shumë se 200 mijë entitete në 150 shtete të ndryshme të botës.
Ashtu si ishte paralajmëruar më parë, impakti i vërtetë i sulmit është vënë re ditën e Hënë, kur edhe fillon puna pas fundjavës, në thuajse çdo cep të globit është krijuar kaos.
Që nga hekurudhat gjermane, te Renault, stacionet e karburantit në Kinë, Universiteti i Milanos, apo një në pesë spitale në Britani, janë thuajse tërësisht jashtë funksionit. Europol e ka konsideruar sulmin si të paprecedentë.
Ndër vendet e goditura është edhe Shqipëria. Madje vendi ynë figuronte që në listën e parë, kur pretendohej se ishin vetëm 74 vende të goditura.
Këto harta e ilustrojnë mjaft mirë shkallën e shpërndarjes së virusit që është përdorur si mjeti i sulmit masiv.
Shqipëria është ndër vendet e goditura që në orët e para të sulmit. Por nga autoritete shqiptare nuk ka ende asnjë informacion në lidhje me dëmin e shkaktuar apo entitetet e sulmuara, ndërkohë që Europol është e detyruar të ndajë informacionin vetëm për vendet anëtare të unionit.
Në Europë, sipas Europol, më të goditurat janë bizneset, korporatat dhe bankat.
Alarmi nuk ka kaluar, aspak. Ekspertët shprehen se, kjo mund të ishte vetëm vala e parë, dhe se tashmë rrjeti është më vulnerabël se kurrë më parë ndaj një rreziku të tillë.
Në Europë po punon intensivisht divizoni i krimit kibernetik të Europol në bashkëpunim madje edhe me NATO-n.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.