Sulmohet Macron – Hacker-at vjedhin e mail-et, institucionet “heshtin”
Fushata presidenciale e Emmanuel Macron, është sulmuar nga hackerat. Ky sulm vjen vetëm pak orë përpara ditës së zgjedhjeve, dhe në një kohë që sondazhet e nxjerrin atë fitues të padiskutuar të zgjedhjeve me 63% kundrejt 37% të rivales së tij. Sulmi kibernetik vlerësohet masiv, dhe ka shkaktuar rrjedhjen në rrjet të emaileve të fushatës së tij, të dhëna në rreth 9 gigabyte.
“lëvizja En Marche! Ka qenë viktimë e një sulmi masiv dhe të koordinuar këtë pasdite çka ka shkaktuar rrjedhjen në media dhe rrjetet sociale të një sërë informacionesh të brendshme”, thuhet në deklaratën e lëvizjes së Macron.
Këto sulme vijnë në një kohë që vende si Rusia janë akuzuar për ndërhyje në fushatën zgjedhore në Shtetet E Bashkuara dhe ndërhyrje të mundshme në fushatat elektorale në vende të ndryshme të Europës, përfshirë Francën.
Ministria e Brendshme në Francë ka refuzuar të komentojë mbi ngjarjen, pasi ligji i`a ndalon, çdo subjekti, qoftë edhe shtetëror, që pas orës 12 të mbrëmjes së të Premtes, të japë çfarëdolloj deklaratë që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
Gjithsesi, Komisioni Zgjedhor do të mbajë një mbledhje urgjente në lidhje me këtë çështje. Mediat ndërkohë, janë udhëzuar që të tregohen të kujdesshme me informacionin dhe materialin që do të publikojnë nga këto emaile të vjedhura, pasi mund të përballen me padi penale. Heshtja elektorale përfundon vetëm të dielën në orën 20.00.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.