“Super” agjencia e re e Bregdetit – Rritje kompetencash. Nga gjobat, te e drejta për të kallzuar penalisht bizneset
Ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka pasur më së shumti një rol periferik prej vëzhguesi, duket se gjërat do të ndryshojnë tërësisht për sezonin e ardhshëm turistik. Përmes një vendimi të miratuar më 17 korrik dhe të publikuar këtë javë në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën dhe kompetencat e reja të këtij organi, të cilat tashmë do nisin nga e drejta për të monitoruar zbatimin e planeve territoriale, deri te kontrolli i dokumentacionit të subjekte, te zbatimi i dispozitave ligjore prej tyre, për të shkuar deri te e kompetenca për t’i gjobitur, madje edhe te kallëzimet penale nda j tyre.
Ndërkohë që sipas dispozitave të reja, Agjencia ushtron kontroll dhe inspekton në mjediset dhe në dokumentacionin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari turistike; Inspekton dhe monitoron rregulloren për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive turistike detare, që zhvillohen në zonën bregdetare dhe respektimin e rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare; si dhe Inspekton dhe kontrollon zbatimin e rregullave për kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarive në stacionet e plazhit, sipas akteve nënligjore në fuqi.
Por janë e drejta për të gjobitur subjektet deri te kompetenca për kallëzime penale ato që rrisin dukshëm peshën e Agjencisë, struktura dhe organika e së cilës përcaktohet nga Kryeministri. Sipas pikës h të nenit 6 të Vendimit, Agjencia Merr masa, vendos gjoba/masa administrative për shkeljet e konstatuara nga subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, në përputhje me dispozitat e ligjit;
Më tej ajo shqyrton ankesat për masat administrative dhe gjobat e vendosura ndaj subjekteve; dhe ndjek procesin e ekzekutimit të detyrimeve monetare të subjekteve të gjobitura, me qëllim arkëtimin e shumave në favor të institucionit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.