Super-pajisjet e SPAK – 2.2 Mln Usd pajisje elektronike dhe sisteme përgjimi për prokurorët e posaçëm
Ndërsa është në prag të plotësimit me anëtarë, miliona dollarë investime në sistemet elektronike, softuer e pajisje përgjimi presin të instalohen për funksionimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK. Scan ka zbardhur analizën e Ministrisë së Drejtësisë për gjashtë muajt e parë të punës për vitin 2019.
Nga dokumenti zbulohet se në dispozicion të pajisjes së SPAK me sistemin IT të nevojshëm bashkë me softuerët përkatëse është vënë shuma totale prej 227 milionë lekësh afërsisht 2.2 milionë dollarë. Ndërkohë që theksohet se investimi mbahet pezull për shkak të vonesës plotësimit me anëtarë dhe nisjes së punës për SPAK.
Ndërkaq, më herët nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është blerë një pajisje përgjimi me vlerë 100 mijë euro, por nga ana tjetër, organi i hetimit kërkon blerjen e pajisjeve të nevojshme për një njësi qendror për SPAK, ashtu si dhe mirëmbajtjen e saj. Ndërkohë, në kuadër të rishikimit të paketës kombëtare të projekteve strategjike PP ka identifikuar nevojën për mbështetje për decentralizimin e përgjimeve.
Në analizë theksohen vonesat e forta në planin e veprimit të sistemit të drejtësisë. Ato nisin që nga zvarritja e ngritjes së KLP e KLGJ, deri te problematikat që kanë shoqëruar konstituimin e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.