Surpriza e turizmit 2018 do të jenë “vikingët” – Ja planet e tur operatorëve dhe linjave ajrore nordike
Viti 2017 ishte padyshim një nga më të suksesshmit për turizmin shqiptar, i cili rriti numrin e vizitorëve të huaj me 7,8%, shifër e cila do të kishte qenë shumë më e lartë, nëse nuk do të kishte patur rreth 400 mijë vizitorë më pak nga Kosova.
Megjithatë, rritja mbresëlënëse e turistëve nga Polonia me 75%, Zvicra e Gjermania me mbi 46% e Italia me 40%, arritën në fund të kthenin rezultatin.
Por vitin e ardhshëm duket se në këtë industri, tashmë jo të varur nga rajoni, surpriza do të vijë edhe më larg, nga vendet Nordike.
Duke u bazuar nga kërkesat e larta këtë vit, operatorët turistikë dhe linjat ajrore nordike po bëjnë gati terrenin për t’u mundësuar vikingëve ardhjen në vendin e shqiponjave.
Tur operatori “Apollo” pritet të nisë fluturimet direkte drejt Tiranës , si nga Suedia, ashtu edhe nga Norvegjia. Shtimi i linjave do të ndiqet nga paketat turistike me resorte në Sarandë e Durrës.
Madje Shqipëria në tregun nordik po zëvendëson edhe gjigandë të turizmit si Turqia, për të cilin janë anuluar disa fluturime charter.
“Me plazhe të shkëlqyera dhe çmime të ulëta, nuk është çudi që destinacioni është bërë shumë popullor mes norvegjezëve. Shqipëria do të bëhet gradualisht “Kroacia e re”, shprehet Erik Haug, drejtori i “Apollo“, Norvegji.
Parashikimi i “Apollo“-s, është që vitin e ardhshëm Shqipëria të hyjë tek grupi i katërt i më të kërkuarave, bashkë me Greqinë, Kroacinë dhe Spanjën.
Në të njëjtën linjë është edhe revista më e madhe suedeze e turizmit, “Vagabond”, e cila e vlerëson vendin tonë në krye të listës së udhëtimeve për vitin 2018. Së bashku me ndikimin e “National Geographic”, e cila po ashtu e fut Shqipërinë mes destinacioneve më të mira, publiku nordik do të ndikohet shumë nga oferta shqiptare.
Në fund të vitit 2016, vizitorët nga Europa Veriore ishin gati 150 mijë individë, shifër e cila në fund të 2017 mund të shënojë rritje pranë 50%, ose rreth 220 mijë turistë.
Rritjen e kërkesave për fluturime drejt Shqipërisë e kanë nuhatur edhe linjat ajrore, si “Small Planet”, e cila po mendon që të kryejë fluturime drejt Tiranës për llogari të tregut nordik.
Me shtimin e linjës direkte low-cost Londër-Tiranë, edhe fluturimet tranzit nga Europa Veriore do të bëhen ndjeshëm më të lehta.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.