Surprizon biznesi gjerman – Optimizmi prek majat, lufta tregtare nuk shqetëson
Morali i biznesit në Gjermani është rritur për të parën herë këtë vit, gjatë Gushtit, tregojnë të dhënat më të fundit që vijnë nga ekonomia më e madhe e Europës.
Këto të dhëna sinjalizojnë se, drejtuesit e kompanive gjermane janë më pak të shqetësuar për kërcënimet e një lufte tregtare globale. Indeksi i klimës së biznesit të institutit “Ifo”, u ngjit në 103.8 pikë gjatë gushtit, nga 101.7 pikë që ishte gjatë muajit Korrik.
Ky lexim është gjithashtu mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve që projektonin një lexim në 101.9 pikë.
“Krahas rritjes së fortë ekonomike dhe situatës aktuale, në përmirësimin e klimës së biznesit ka ndihmuar edhe armëpushimi në luftën tregtare me ShBA”, deklarojnë ekspertët.
Ekonomia gjermane po performon mjaft mirë. Të dhënat aktuale sinjalizojnë një rritje ekonomike prej 0.5% të ekonomisë së vendit gjatë tremujorit të tretë të vitit. Shtysa kryesore vjen nga shërbimet dhe sektori i ndërtimit.
Të dhënat flasin për një përmirësim të ndjeshëm edhe në sektorin e manifakturës dhe atë të shitjeve me pakicë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.