Surprizon ekonomia amerikane – PBB rritet me 3.2% prej tregtisë dhe inventarëve
Rritja ekonomike në SHBA është përshpejtuar në tremujorin e parë, por kjo erdhi kryesisht nga tregtia dhe rritja më e madhe e inventarëve që prej vitit 2015, që janë faktorë të përkohshëm. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.2% me bazë vjetore në tremujorin e parë, sipas raportit të Departamentit të Tregtisë. Ekonomia mori gjithashtu nxitje nga rritja e investimeve qeveritare, që kompensuan ngadalësimin e konsumit dhe investimeve private.
Megjithatë, raporti mund të largojë shqetësimet për recesion që u shkaktua nga një serë e të dhënave të dobëta ekonomike në fund të vitit të kaluar. Këto shqetësime u përkeqësuan nga përmbysja e përkohshme e kurbës së yieldit. Ekonomia u rrit me 2.2% në fund të vitit të kaluar. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ka nisur ngadalësimin nga maja prej 4.2% që arriti në tremujorin e dytë 2018, kur paketa e reduktimeve tatimore prej 1.5 trilionë dollarë nga Shtëpia e Bardhë, i dha shtytje konsumit.
Në muajin Korrik, ekonomia amerikane do të shënojë vitin e 10 radhazi të ekspansionit, që është më i gjatë në histori. Eksportet patën rritje ndërsa importet ranë në tremujorin e parë, duke ulur defiçitin tregtar. Tensionet tregtare mes Kinës dhe SHBA kanë shkaktuar luhatje të mëdha të defiçitit, ndërkohë që eksportuesit dhe importuesit po përpiqen të shmangin tarifat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.