Surprizon ekonomia e Eurozonës – Franca dhe Spanja ofrojnë shpresë. PBB rritet me 0.4%
Europa e nisi vitin 2019 me një vrull të papritur ekonomik, të nxitur nga Franca dhe Spanja, duke ulur shqetësimet e investitorëve dhe zbutur presionet ndaj Bankës Qendrore Europiane për të shtuar stimuj monetarë. Produkti i Brendshëm Bruto në Eurozonë u rrit me 0.4% në tremujorin e parë, sipas të dhënave të Eurostat, që ishte sa dyfishi i normës së fundit të 2018-ës dhe sipër projeksioneve të ekonomistëve.
Investimet e forta në Spanjë dhe shpenzimet e mëdha të konsumit në Francë, i dhanë vrull ekonomisë së rajonit. Valuta europiane u rrit menjëherë pas publikimit të të dhënave, në 1.1215. Të dhënat shënojnë përshpejtimin e dytë për tremujor që prej ngadalësimit të Verës së kaluar që erdhi nga tregtia dhe aktiviteti i fabrikave. Sezoni i raportimit të kompanive për tremujorin po rezulton gjithashtu pozitiv deri më tani.
Megjithatë, disa vende të Eurozonës nuk kanë patur ende një rimëkëmbje, ndërkohë që Gjermania pritet të tregojë rezultatin më të dobët në 6 vite. Humori i bizneseve është përkeqësuar në muajin Prill dhe Banka Qendrore Europiane ka bërë të ditur se nuk do të rrisë interesat këtë vit. Ndërkohë që Spanja dhe Franca kanë ofruar pak shpresë për rajonin, konfliktet tregtare dhe vështirësitë e brendshme, kryesisht në industrinë e makinave në Gjermani, paraqesin ende një sfidë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.