“Survivor Games 2”, Veliaj: Në 4 vitet e ardhshme terrene sportive në çdo lagje

Pas suksesit me këndet e lojërave, Bashkia e Tiranës do të nisë projektin e ndërtimit të terreneve sportive në çdo lagje. Në edicionin e dytë të kampionatit “Survivor Games” në Parkun e Liqenit Artificial, një event outdoor që promovon jetesën aktive në natyrë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një nga ambiciet për mandatin tjetër është shtrirja e hapësirave sportive më afër komunitetit.
“Dikur kjo ishte një pellgaqe, por duke transformuar atë, sigurojmë një mjedis cilësor, të sigurt, të mbrojtur, të shëndetshëm për të ushtruar sport, për të mos pasur makina vërdallë dhe për t’i rritur vlerën kësaj hapësire. Por, një ndër gjërat që duam të bëjmë është ta çojmë këtë projekt në çdo lagje, njësoj siç bëmë me projektin e këndeve të lojrave. Kur filluam këndin e parë të lojërave, Tirana desh u kthye përmbys, kurse sot kemi bërë 35 kënde. Imagjinoni sikur ta bëjmë këtë me të gjitha terrenet sportive! Kjo është një nga ambiciet tona për 4 vitet e tjera”, tha Veliaj.
Ai shprehu bindjen se edhe terrenet e reja sportive do të jenë ndër më të frekuentuarat nga qytetarët, ndaj i ftoi ata të identifikojnë një hapësirë të përshtatshme për aktivitete sportive, në mënyrë që Bashkia e Tiranës të ndërhyjë për transformimin e saj në një fushë sportive.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e instruktorëve të palestrave që të kontribuojnë vullnetarisht për masivizimin e sportit tek të rinjtë, duke shfrytëzuar terrenet sportive të shkollave në kryeqytet, që tashmë janë të hapura edhe si qendra komunitare pas mësimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.