Syri i Kaltër – Dedej: 30 mijë vizitorë gjatë vitit 2016

Bukuritë natyrore në vendin tonë, duket se po rrisin çdo vit e më shumë interesin e turistëve të huaj. Një ndër këto zona është edhe syri i Kaltër. Sipas Kreut të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, vetëm për vitin 2016, numri i biletave të prera për të vizituar Syrin e Kaltër arriti në 30 mijë dhe të ardhurat arrijnë deri në 3 milionë lekë.
“Kemi bërë një plan pune për të ardhurat e aktiviteteve ekonomike brenda zonave të mbrojtura. Mund t’ju them një shifër, tek Syri i Kaltër janë prerë 500 deri në 1 mijë bileta. Vitin e shkuar ne patëm rreth 30 mijë vizitorë në Syrin e Kaltër, që ishte një shifër shumë pozitive”, tha Dedej për SCAN.
Sipas burimeve të AKZM, turizmi në këtë zonë tashmë do të shtrihet përgjatë gjithë vitit. Ndërkohë së shpejti do të ketë edhe një qendër për vizitorët, kjo fale kontratës që pritet të lidhë kjo agjenci me një shoqatë lokale.
Syri i Kaltër ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.