“Sytë” nga arsimi profesional – Denaj: Të përputhet kërkesa me ofertën
Shkollat profesionale do të orientohen më mirë që të prodhojnë të rinj me profesione që kanë kërkesën më të lartë nga tregu i punës, në mënyrë që të punësohen sapo mbarojnë studimet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka zhvilluar një vizitë në Zyrën e Punësimit në Tiranë, ku u njoh më nga afër me kërkesat që kanë bizneset.
“Ne kemi një rrjet shumë të gjerë shkollash profesionale, nëpërmjet shumë programeve që ministria jonë ndjek, ne nxisim që shkollat profesionale të bëhen sot atraktive për të gjithë personat që kanë mundësinë nesër të punojnë në tregun e punës në profesione shumë tipike, siç ju e thatë, në kërkesat që ka tregu i punës në telekomunikacion, në turizëm e hoteleri dhe mendojmë që shkollat profesionale, me dinamizmin që po marrin, me mbështetjen që po marrin, me fokusin që ka qeveria te zhvillimi i këtyre shkollave profesionale, të gjejnë atë mbështetje studentët që sapo përfundojnë nga niveli i mesëm dhe të arrijnë atë profesionalizëm që kërkohet për tregun e punës”, tha Ministrja Denaj.
Për vitin 2019, target është trajnimi i rreth 20 mijë punëkërkuesve të papunë.
“Targeti për këtë vit është rreth 20 mijë punëkërkues që do të trajnohen. Do të trajnohen pranë qendrave të formimit profesional. Në atë rast ne dhe përforcojmë bashkëpunimin e zyrës së punës me qendrat e formimit për të përforcuar dhe aftësitë e qëndrimit në punë të këtyre qytetarëve, qoftë të të rinjve, qoftë të qytetarëve të moshave të tjera”, tha Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Elira Caushi.
Prej vitesh tregu i punës vuan nga mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës, duke bërë që papunësia të jetë në nivele të larta.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.