T-mobile shkrihet me Sprint? – Pranë marrëveshjes, Deutsche Telekom do të kishte mazhorancën
T-Mobile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është nën kontrollin e Deutsche Telekom është shumë pranë marrëveshjes për tu shkrirë operatorin tjetër amerikan, Sprint. Bëhet fjalë për operatorin e tretë dhe të katërtin më të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe bashkimi mes të dyve do të krijonte një gjigand të ri.
Ky do të ishte gjithashtu operacioni i parë i shkrirjes së dy kompanive të një niveli të tillë që prej inaugurimit të Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Transaksioni nga ana tjetër do të konsolidojë edhe më tej tregun e telekomunikacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kompanitë janë përpjekur edhe në vitin 2014 të bëjnë diçka të tillë, por u stepën si pasojë e rregullatorëve. Përpjekja e re, tregon se, ambienti në këtë drejtim është bërë më i favorshëm, e këtu duket se ka dorë administrata e re.
Deutsche Telekom do të gëzojë mazhorancën e aksioneve në kompaninë e re që do të krijohet pas shkrirjes mes të dyjave, ndërkohë që aksionerët e Sprint do të mjaftohen me vetëm 40%.
Kompania e re do të kishte më shumë se 130 milionë abonentë, me të ardhura në 70 miliardë dollarë. Lajmi bëri që aksionet e Sprint të ngjiteshin me 5% në sesionin e së premtes, ndërkohë që ato të T-mobile u rritën me 0.4%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.