Antonio Tajani, një ish-gazetar, President i PE

Antonio Tajani, Presidenti i porsazgjedhur i Parlamentit Europian bën pjesë në grupin e partive popullore europiane, ku përfshihet edhe Partia Demokratike. Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Tajani vlerëson dialogun ndërfetar në vendit tonë, por gjithashtu këmbëngul në avancimin e reformave. Në një fjalim të tijin, ai ka theksuar domosdoshmërinë që ka tani Europa për t’u zgjeruar me Ballkanin, përfshirë dhe Kosovën
63 vjeçari i zë vendin gjermanit Martin Shculz, pas garës me një italian tjetër, Gianni Pitella. Ai është një konservator i njohur dhe mik i ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi.
Lindur në 4 Gusht 1953 në Romë, Antonio Tajani ka një karrierë të pasur dhe të larmishme.
I diplomuar për drejtësi në Universitetin La Sapienza në Romë, Tajani ka shërbyer si oficer i Forcave Ajrore Italiane në vitet 1974-1975 dhe si i dërguar special në Liban, Somali dhe Bashkimin Sovjetik gjatë periudhës 1983-1987.
Gazetar profesionist duke mbuluar çështjet parlamentare për të përjavshmen “Il Settimanale”, ai ka qenë gjithashtu i pranishëm në mediat italiane si prezantues në “Radio Rai 1” dhe si shef i zyrës redaktoriale në Romë të gazetës “Il Giornale”.
Në rininë e tij, italiani iu bashkua Frontit Rinor Monarkik dhe gjithmonë është parë si mbështetës për rikthimin e familjes mbretërore.
Në 1994 ishte ndër themeluesit e partisë “Forza Italia”, prej ku do të zhvillohej dhe raporti i tij me ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Tajani u bë zëdhënës i Berlusconit gjatë mandatit të tij të parë në krye të qeverisë italiane (1994-1995), koordinator i partisë në zonën e Lacios (1994-2005), dhe kryetar i delegacionit të kësaj partie në PE (1999-2008).
Në 2001 Tajani kandidoi për kryebashkiak të Romës, por u mposht nga Veltroni, ndërsa prej 2002 ai është një nga 10 zëvendëspresidentët e Partisë Popullore Europiane. Gjatë kësaj kohe ai ka kryer shpesh takime me aktorë kryesorë të politikës në Shqipëri.
Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian dhe Donald Tusk, lider i Këshillit të Europës janë gjithashtu nga Partia Popullore Europiane.
Në strukturat e Bashkimit Europian, ai ka shërbyer në poste të ndryshme si Komisioner i Transportit, Komisioner për Industrinë dhe Sipërmarrjen.
Gjatë shërbimit të tij dhe fjalimeve në parlament, Tajani ka patur shpesh në fokus vendet me shumicë muslimane dhe sheh si zgjidhje të vetme dialogun ndërfetar. Për këtë ai thotë se Europa mund të mësojë shumë nga Shqipëria. Ndërsa i ka bërë disa herë thirrje Turqisë të përfundojë reformat, për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit.
Në nëntor të 2014-ës Tajani refuzoi një shumë prej 468 mijë eurosh, që i takonin për periudhën tranzitore të fundit të mandatit si ish-zëvendëspresident i KE. Veprimin ai e konsideroi një zgjedhje që e bëri ndërgjegja e tij.
Njohës i katër gjuhëve: italisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, Tajani ka qenë shpesh i përfshirë në grupe pune me vende të ndryshme si Brazili apo vende të tjera të Amerikës së Jugut, si dhe ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit në Francë dhe Urdhrin e Meritës Civile në Spanjë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.