Takim Kurti – Thaçi / Kreu i Vetëvendosjes: “Ende nuk jemi mandatuar, presim marrëveshje me LDK-në”
Bisedimet për krijimin e qeverisë në Kosovë kanë hyrë në një fazë intensive. Teksa kanë kaluar plot tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit, dy partitë më të votuara si Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike Kosovës kanë arritur të dakordësohen për programin qeverisës politik, por ngërçi midis tyre qëndron për pozicionet e kabinetit qeveritar dhe postit të presidentit.
Kandidati për kryeministër, z.Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një takim të shkurtër konsultativ me presidentin z.Hashim Thaçi. Pas takimit, z.Kurti u shpreh i pari se:
“Unë dëgjova presidentin në këtë takim disa minutësh unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin. Takimi ishte pak minuta për shkak se ishte konsultativ. Ndoshta do të ketë takime politike institucionale në të ardhmen. Unë do të jem kryeministri i ardhshëm dhe kjo do të jetë kosto për mua, ndërsa zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin. Nuk mund të kthemi pas, ashtu sikur nuk mund të kthehemi para 6 tetorit. Nuk mund të kthehemi pas.”
Pas takimit kryetari i Vetëvendosjes u shpreh se ai së bashku me anëtarët e kryesisë së Lëvizjes do të dërgonte në ditën e sotme emrat për të marrë dekretimin e presidentit, ndërkohë që u shpreh besimplotë se koalicioni me LDK-në do të krijohet:
“Tani kuvendi është konstituar, nuk kemi pasur zvarritje, kemi kryetarin dhe kryesinë që kanë marrë votat para kamerave dhe tani besoj që duhet të bëjmë hapa përpara. Oferta që unë kam bërë në pasditen e 23 dhjetorit u refuzua, tani duhet të takohemi dhe bisedojmë që të ndajmë përgjegjësitë. Unë nuk kam caktuar asnjë ministër nga LDK-ja, kam lënë vendet për ata sipas negociatave që kemi bërë, kam shprehur vendosmërinë për të ecur përpara. Unë nuk dua të propozoj emrin serb pa pasur ata të LDK-së. Kur të përfundojmë ata të LDK-së dhe të zv/kryeministrit do të kalojmë te pakicat dhe zv ministrat. Kur do që ata janë gati (LDK) jam gati, unë do të komunikoj sërish që ta shikojmë kur të kemi takimin e radhës. Takimet nuk janë lajme, por është marrëveshja që na pret në të ardhmen”
Ndërkohë presidenti Thaçi nga krahu tjetër i ka dhënë z.Kurtit 48 orë për të nominuar kandidatin për kryeministër.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Postimi i plotë:
‘Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.
Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës.
Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore’.
Gjithashtu pak orë para takimit me presidentin Z.Kurti nëpërmjet një video të postuar në llogarinë e tij propozoi emrat e 5 ministrave dhe zv.kryeministrit të dytë, duke kërkuar të njëjtin vullnet nga LDK-ja:
“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia.” – u shpreh kreu i Vetëvendosjes.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.