Takimet në Uashington- Rithemelohet grupi mbështetës për çështjet shqiptare në Senat

Në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, bën të ditur rikrijimin e grupit mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin Amerikan. Bashkëdrejtuesit e këtij grupi janë Senatorët Gary Peters dhe Joni Ernst.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, grupi mbështetës përbëhet nga një grup senatorësh Republikanë dhe Demokratë dhe do të ketë rol kryesor mbështetjen, promovimin dhe favorizimin e dialogut në Senatin Amerikan mbi Shqipërinë dhe çështjet thelbësore, jo vetëm të komunitetit Shqiptaro-Amerikan por edhe të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
Gjatë takimit me ministrin Bushati, Senatori Peter u shpreh se Shqipëria është një aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar, e cila është e angazhuar në konsolidimin e demokracisë dhe zbatimin e reformave kyçe.
Më herët, ministri Bushati zhvilloi një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, në ambientet e Ambasadës sonë në Uashington.
Në këtë takim, ministri Bushati ritheksoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e angazhimeve të Samitit të Varshavës, përfshirë rritjen e buxhetit dhe shpenzimeve të mbrojtjes.
Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kontributin e shtuar të vendit tonë në operacionet dhe misionet e NATO-s etj.
Shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi një takim edhe me senatorin Republikan John McCain. Në një foto të publikuar në profilin e tij në “Twitter”, McCain shkruan se Shqipëria është një mike e vërtetë dhe aleate e SHBA-ve, si edhe një demokraci krenare që po bën progres në rrugën e reformave.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.