Takimi historik Trump-Kim/Nënshkruhet marrëveshja dypalëshe. Erë paqeje në gadishullin korean
“Konflikti Korean do të përfundojë së shpejti”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, pas samitit historik me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Në fund të takimit, që është i pari mes liderëve në pushtet të të dy vendeve, Trump dhe Kim nënshkruan një marrëveshje për të bashkëpunuar mbi denuklearizimin dhe për një regjim të paqes në gadishullin korean.
Sipas dokumentit, që Trump e cilësoi si gjithëpërfshirës, të dyja palët janë angazhuar për të ndjekur negociatat dhe bashkëpunuar mbi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ndërsa pyetej se çfarë nënkuptonte marrëveshja për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Jugut, Trump tha se ky proces do të nisë së shpejti. Sipas një fotoje të dokumentit të nënshkruar, duket se liderët kanë rënë dakord në 4 pika.
Ndër këto përfshihet angazhimi i Partisë Popullore Demokratike të Koresë në denuklearizimin e plotë të gadishullit korean si dhe rikthimi i menjëhershëm i personave të humbur dhe të burgosurve të luftës që janë identifikuar (POW/MIA).
Sipas deklaratës, sekretari i shtetit në SHBA, Mike Pompeo dhe zyrtarët e Koresë së Veriut do të nisin negociatat pas samitit në datën më të herët të mundshme. Megjithatë, sipas analistëve politikë, samiti solli vetëm rezultate simbolike dhe asgjë të prekshme.
Dokumenti nuk përmendi gjithashtu heqjen e sanksioneve ndërkombëtare që kanë paralizuar ekonominë e Koresë se Veriut, për ndjekjen e programit të armëve bërthamore.
Në dokument, nuk përmendej as nënshkrimi i një traktati të paqes. Korea e Veriut dhe SHBA kanë qenë në krahë të kundërt gjatë luftës koreane të vitit 1950-1953 dhe janë teknikisht ende në luftë, pasi konflikti përfundoi me një armëpushim.
Kina, pala e tretë në armëpushim, deklaroi se synon që të dy vendet të arrijnë në një dakordësi mbi denuklarizimin.
Nëse samiti sjell në një zbutje të tensioneve në afat-gjatë, mund të ndryshojë në ndjeshëm gjendjen e sigurisë në Azinë Verilindore, ashtu sikur presidenti Richard Nixon vizitoi Pekinin në vitin 1972, gjë që solli në transformimin e Kinës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.