Takimi i datës 26 Gusht në Durrës – Zbardhet axhenda e bisedimeve të krerëve të BP

Të shtunën, krerët e qeverive të Shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Durrës për të diskutuar thellimin e integrimit rajonal.
Takimi informal që do të mbahet nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama do të fokusohet në çështjet e ekonomisë dhe tregtisë.
Në mbledhje do të marrin pjesë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje & Hercegovinës, Denis Zvidzdic; Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë, si edhe kryeministri i Malit të Zi Dusko Markovic.
Si mbështetës të dialogut dhe financues të projekteve konkrete që do të lindin nga bashkëpunimi mes këtyre vendeve, tryezës do t’i bashkëngjiten edhe komisioneri Johannes Hahn dhe zv/presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga zyra e Kryeministrit, eventi njëditor do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune gjatë të cilave do të diskutohen temat e tregtisë, shërbimeve, investimeve dhe ekonomia digjitale, me këtë të fundit një prioritet të Bashkimit Europian për dekadën e ardhshme.
Pritet që ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të forcojnë angazhimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Samitin e Triestes, duke përcaktuar hapat për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale.
Gjithashtu pritet që rezultatet e procesit të Berlinit të arritura deri më tani dhe pritshmëritë për bashkëpunimin rajonal në vijim të jenë në vëmendjen e diskutimeve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.