Takimi i Rezervës Federale – “Flet” për reduktimin e bilancit, dollari bie në nivelin më të ulët 1-vjeçar

Rezerva Federale mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në takimin e politikave monetare të muajit Korrik dhe bëri të ditur se do të nisë së shpejti reduktimin e zotërimeve gjigante të titujve të borxhit. Komisioni Federal i Tregut të Hapur vendosi të mbajë normën e interesit në segmentin 1-1.25% dhe deklaroi se do të vazhdojë tkurrjen e ngadaltë monetare.
Në deklaratën pas takimit 2-ditor, zyrtarët e sistemit bankar qendror në SHBA thanë se ekonomia po rritet në ritëm të qëndrueshëm dhe punësimi ka qenë i fortë. “Komisioni pret që të nisë normalizimin e bilancit së shpejti”, deklaruan zyrtarët, duke shtuar se do të ndjekë planin e shpalosur në muajin Qershor për reduktimin e titujve të thesarit dhe letrave me vlerë të kolateralizura.
Titujt e kapitalit patën rritje pas deklaratës, ndërsa interesat e titujve të Thesarit ranë. Dollari, ndërkohë, u tregtua në nivelin më të ulët në më shumë se 1 vit. Dollari ra kundrejt të gjithë valutave kryesore, pas deklaratës së Rezervës Federale. Kundër jenit japonez, valuta ra në 110.81. Euro arriti në 1.1739 dollarë, që është niveli më i lartë në 2 vite e gjysmë. Rezerva Federale ka injektuar në mbi 3 trilionë dollarë në ekonomi duke blerë letra me vlerë gjatë krizës financiare.
Bilanci është rritur tashmë në rreth 4.5 trilionë dollarë. Pritshmëritë e tregjeve mbi nisjen e reduktimi të bilancit qëndrojnë tashmë për muajin Shtator, duke shënuar përfundimin e një mjeti jo-popullor që ka tërhequr kritika nga republikanët në kongres.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.