Takimi në Shkodër/Bardhi: Çdo kontratë koncensioni e cila ka patur vetëm një konkurrent do t’i nënshtrohet kontrollit
Opozita ka vijuar turin e diskutimeve në Shkodër, ku gjatë takimit me studentë e pedagogë të Universitetit të Shkodrës ka rikonfirmuar qendrimin se nëse do të vijë në pushtet do të nisë një proces verifikimi të kontratave koncesionare.
Në emër të opozitës, Gazment Bardhi tha se çdo kontratë koncesioni që ka pasur një konkurrent do t’i nënshtrohet kontrollit.
“Do të verifikohen të gjitha nga kontratat e koncensionit, prokurimit publik, PPP-të, aktet e lejet, licencat, për shfrytëzimin e pasurive publike të cilat dyshohen se janë dhënë në kundërshtim me ligjin, në shkelje të procedurave konkuruese publike. Pra, çdo kontratë koncensioni e cila ka patur vetëm një konkurent do të duhet ti nënshtrohet kontrollit ” u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se ndryshimet ne ligjin antimafia janë në interesin e çdo shqiptari për shkak se paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste do të kthehen në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për investime.
Po ashtu, gjatë diskutimeve u theksua nevoja e realizimit të procesit të “vetting”-ut në politikë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.