Takimi Rama-Basha – Ngërçi politik, për momentin nuk ka një marrëveshje
Nuk është arritur një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës në takimin e thirrur nga Presidenti Nishani, një takim ky i cili synonte që t’i jepte fund krizës politike në vend. Kryeministri Edi Rama iu drejtua Presidencës më këmbë i shoqëruar nga kreu i grupit të PS Gramoz Ruçi, ndërsa kreu i Opozitës ishte i shoqëruar nga Edi Paloka.
Pikat që u diskutuan në këtë takim kishin të bënin me shtyrjet e afatit të zgjedhjeve për më datën 16 korrik, propozim ky i bërë më parë nga negociatorët e BE-së. Ndërkohë që në takim është diskutuar edhe për zëvendësimin e katër ministrave me persona teknik të zgjedhur nga Rama, por me konsensusin e opozitës.
Një tjetër pikë e diskutimit ka qenë edhe gjetja e konsensusit për zgjedhën e Presidentit, Avokatit të Popullit, si dhe kalimin e kreut të KQZ-së opozitës.
Nga takimi që zgjati tre orë i pari është larguar Kryeministri Rama i cili ka qenë i buzëqeshur dhe me duart në xhep. Pas 50 minutave është larguar edhe kreu i opozitës nga Presidenca, i cili nuk është ndalur në çadrën e lirisë, por i është drejtuar selisë së PD-së.
Në orët në vijim pritet që të ketë një takim tjetër për të arritur një marrëveshje, por që do të jetë takim i nivelit të dytë pra jo me liderët e dy partive kryesore në vend.
Në të njëjtën kohë që mbahej takimi Rama- Basha në Presidencë, delegacioni i BE mblodhi në një takim Ambasadorët e vendeve Europiane.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.