Takimi Turqi-Venezuelë/Erdogan kritikon sanksionet. Maduro mbron eksportet e arit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kritikoi sanksionet ndaj Venezuelës gjatë takimit me presidentin Nicolas Maduro, i cili mbrojti të drejtën e vendit për të eksportuar ar, pasi sanksionet amerikane të muajit të kaluar shënjestruan dërgesat e metalit.
Washingtoni ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Venezuelës që akuzohen për korrupsion. Lidhjet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, 2 vende aleatë të NATO, janë përkeqësuar gjithashtu.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi muajin e kaluar një urdhër ekzekutiv që ndalonte këdo në Amerikë për të bërë marrëveshje me njerëz dhe biznese të përfshirë me shitjet “korruptive” të arit nga Venezuela. Turqia këtë vit është bërë importuesi më i madh i arit nga Venezuela.
“Ne do të vazhdojmë aktivitetin e tregtimit dhe shitjes së arit me transparencën dhe legjitimitetin e dy vendeve dhe askush nuk duhet të përfshihet. Ne nuk përfshihemi në tregtinë e Shteteve të Bashkuara apo ndonjë Qeverie tjetër. Askush nuk duhet të ndërhyjë, Venezuela ka të drejtën të shesë çfarë prodhon drejt botës”.
Venezuela po vuan nga hiperinflacioni dhe recesionin që ka zgjatur për 5 vite radhazi, gjë që ka sjellë mungesë të ushqimeve dhe barnave në vend.
Maduro ka fajësuar vazhdimisht luftën ekonomike të SHBA, por kritikët thonë se kriza është provë e politikave socialiste të nisura nga paraardhësi i tij Hugo Chavez.
Ndërkohë që Erdogan nuk përmendi në mënyrë direkte SHBA apo Trump, ai tha se “miku” i tij, Maduro, po përballet me sulme manipuluese nga vende të caktuara.
“Rezistenca e Venezuelës reflekton një pozitë fisnike. Ne e dimë që disa vende kërkojnë të dominojnë dhe të ushtrojnë presion, siç bëjnë me të gjithë botën, e madje edhe të kërcënojnë jetën dhe integritetin personal. Asnjë presion nuk mund të mposhtë vullnetin e popullit të Venezuelës”.
Tregtia mes Turqisë dhe Venezuelës është rritur dhe sipas të dhënave turke, vendi ka importuar ar në vlerën e 900 milionë dollarëve nga Venezuela në 9 muajt e parë të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.