Taksa e fjetjes në hotel – Bashkia e Tiranës: Raportimi do bëhet “online”

Deklarimi dhe raportimi për operatorët ekonomikë, që janë subjekt i taksës së fjetjes në hotel, do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të qendërzuar, që do të ngrihet nga Bashkia e Tiranës.
Gjithçka përcaktohet në një projektvendim të Këshillit Bashkiak, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e datës 26 korrik.
Sipas relacionit, që shoqëron projektvendimin ngritja e këtij sistemi është bërë për të rritur nivelin e mbledhjes së kësaj takse dhe saktësinë e përllogaritjes.
Nëpërmjet tij, hotelet dhe stabilimentet e ngjashme mund të raportojnë në mënyrë elektronike dhe në kohë reale fluksin e vizitorëve të tyre.
Sistemi do të aksesohet përmes internetit nga subjektet tatimpaguese dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, e cila është përgjegjëse për mbledhjen e taksës së fjetjes.
Baza e saj është numri i netëve të qëndruara në hotel, ndërsa subjekt i taksës janë të gjitha hotelet, motelet, stabilimentet turistike, shtëpitë e pritjes, turizmit familjar dhe çdo objekt tjetër që përdoret për këtë qëllim.
Me miratimin e reformës territoriale, i cili riorganizoi njësitë e qeverisjes vendore, Bashkia Tiranë u zgjerua, duke përshirë 24 Njësi Administrative, nga të cilat 12 u përkasin ish-komunave.
Si rezultat, procesi i deklarimit të taksës së fjetjes në hotel, i cili administron një informacion të mbledhur në mënyrë manuale, tashmë përfshin edhe subjektet që janë objekt i saj, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Njësite e reja Administrative të Bashkisë Tiranë.
Qëllimi i sistemit elektronik të qendërzuar është automatizimi i procesit të menaxhimit, për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës që të mbledhë taksën e fjetjes në hotel, krijimi i një baze të dhënash qendrore për të gjitha hotelet në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë si dhe do të sigurojë një sistem që do të mundësojë menaxhim të plotë dhe të besueshëm të vetë hoteleve, me sa më pak mundësi gabimi mbi të dhënat apo veprimet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.