“Taksa e mbetjeve sipas sasisë” – Ligji i ri: Masa fiskale për të zbatuar hierarkinë e trajtimit
Ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës do të përdorin instrumente ekonomike dhe masa të tjera financiare për të siguruar zbatimin e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, që sipas legjislacionit në fuqi nis me parandalimin e gjenerimit të tyre. Gjithçka përcaktohet në ndryshimet e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të nxjerrë për konsultim publik, ku ndër masat e sugjeruara parashikohet vendosja e detyrimeve financiare dhe kufizimeve për depozitimin dhe djegien e mbetjeve, që nxisin parandalimin dhe riciklimin e mbetjeve, duke e mbajtur depozitimin si opsionin më pak të preferuar për menaxhimin e mbetjeve.
Gjithashtu, parashikohet aplikimi i skemave “Paguaj-si-hedh”, që ngarkojnë financiarisht prodhuesit e mbetjeve në bazë të sasisë së mbetjeve të krijuara dhe nga ana tjetër ofrojnë stimuj për ndarjen në burim të mbetjeve të riciklueshme dhe për zvogëlimin e mbetjeve të përziera. Të tjera masa parashikojnë vendosjen e stimujve fiskalë për dhurimin e produkteve, në veçanti ushqimin apo përdorimin e masave fiskale ose mjeteve të tjera për të nxitur marrjen e produkteve dhe materialeve të përgatitura për ripërdorim ose riciklim. Referuar legjislacionit në fuqi, pas parandalimit “piramida” e menaxhimit të integruar të mbetjeve , vazhdon me ripërdorimin, riciklimin, rikuperimin, ndërsa hallka e fundit që është asgjësimi apo thënë ndryshe djegia.
Tabelë
HIERARKIA E TRAJTIMIT TË MBETJEVE
Parandalimi
Ripërdorimi
Riciklimi
Rikuperimi
Asgjesimi
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.