Taksa e ndikimit në infrastrukturë – Dyfishon të ardhurat në taksat vendore
Më hyrjen në fuqi të reformës së re territorial, por edhe të ligjit të ri për financat vendore, fondet për bashkitë janë rritur.
Sipas një analize të bërë nga specialistë të Ministrisë së Financave, nëse konsiderojmë vetëm taksat dhe tarifat vendore së bashku me burimet mbi të cilat ushtrojnë autoritet të plotë, rritja është 64% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016.
Në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore.
Megjithatë, analiza tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës.
Nëse eliminohet efekti i Bashkisë së Tiranës, rritja e të ardhurave vendore nga taksat dhe tarifat vendore do të ishte sërish pozitiv, por në nivelin më modest prej rreth 13% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është zëri që kontribuon më tepër në të ardhurat e veta të bashkive, përkrah kontributit të të ardhurave nga taksat e pasurisë së paluajtshme, tarifat e shërbimeve dhe ato të menaxhimit të aseteve.
Rreth 1.3 miliardë lekë nga 1.7 miliardë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë mbledhur në bashkinë e Tiranës, duke nënkuptuar që në 60 bashkitë e tjera janë mbledhur rreth 400 milion lekë nga kjo taksë.
E thënë ndryshe mbi 80% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja janë mbledhur në bashkinë e Tiranës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.