Taksa e pronës, Ahmetaj: Nuk ka shtyrje të aplikimit. Procesi ka filluar dhe po vazhdon
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka sqaruar nga Gjirokastra se nuk ka shtyrje të aplikimit të taksës për pronën.
Në vijim të diskutimit mbi aplikimin e Metodologjisë së re të taksës mbi ndërtesat, Ahmetaj është shprehur se ajo që është diskutuar ka të bëjë me periudhë tranzitore për t’i dhënë mundësinë njësive vendore për t’u bërë gati për metodologjinë e re bazuar te vlera.
“Në referencë të aplikimit të taksës mbi ndërtesat, një sqarim për të gjithë subjektet por edhe për qeveritë vendore, aplikimi i taksës së pronës nuk është shtyrë ashtu siç është keqinterpretuar në lajme, por ajo që unë kam sqaruar dhe që do ta risqaroj sot ka të bëjë me periudhën tranzitore, që do të thotë ligji i ka dhënë të drejtë njësive vendore që nuk bëhen dot menjëherë gati për metodologjinë e re të bazuar te vlera, për një periudhë tranzitore mund të përdorin metodologjinë e vjetër. Pra, taksa vazhdon aplikohet, taksa nuk është shtyrë, por ka një periudhë tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën.
Metodologjia e re e llogaritjes së taksës vendore mbi ndërtesat ka hyrë në fuqi nga data 1 prill 2018.
Për periudhën Prill-Dhjetor të këtij viti kjo taksë do të llogaritet me përqindje mbi vlerën e ndërtesës, çka e bën këtë taksë me të drejtë dhe neutrale krahasuar me metodën e mëparshme të llogaritjes me kuotë fikse mbi sipërfaqen. Formula e re ka filluar tashmë të zbatohet.
Njësitë e pushtetit vendor kanë filluar procesin e kalkulimit të taksës sipas metodologjisë së re, duke bërë përjashtimet dhe zbritjet përkatëse sipas përcaktimeve të ligjit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.