Taksa e pronës, si do llogaritet për shtëpitë

Taksa e re e pronës pritet të përcaktohet këtë vit, teksa Ministria e Financave ka tashmë gati të dhënat për të gjitha banesat dhe pronat në vend. Këto të dhëna janë evidentuat dhe regjistruar nga terreni për çdo objekt, duke konfiguruar në këtë mënyrë adresarin e madh të pronave.
Në raportin e hartuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandohet se niveli më i arsyeshëm i taksës së pronës mund të jetë nga niveli minimal 0.075 për qind deri nga niveli më i lartë 0.15 për qind i vlerës së tregut të pronës dhe do të paguhet një herë në vit.
Formula që rekomandon FMN përfshin llogaritjen e taksës mbi vlerën e apartamentit sipas tregut, por duke përfshirë edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar pallati apo vila.
Më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha. Për tokën bujqësore FMN-ja propozon taksën 21 euro në vit, apo 1.1 për qind të të ardhurave minimale vjetore të fermerit, shkruan Shekulli.
“Për të siguruar njëtrajtshmërinë e taksimit, qeveria qendrore duhet të përcaktojë një nivel të zbatueshëm të tatimit të pronës. Për shembull, një nivel i arsyeshëm mund të jetë nga një minimum prej 0.075 për qind deri në 0.15 për qind të vlerës. Një nivel i tillë do të sigurojë që të arrihet objektivi për rritjen e të ardhurave”, thuhet në raportin e FMN-së.
Por, në kohën kur plani i FMN-së nuk ka marrë dritën jeshile, paralelisht edhe kryeministri ka caktuar një grup ekspertësh për të përgatitur një plan veprimi për metodologjinë e vlerësimit të tatimit të pronës.
Një variant i propozuar më herët nga qeveria shqiptare propozon, që ky i fundit të integrohet me faturat e energjisë elektrike dhe të ujit, propozim ky i cili bie ndesh me atë të FMN-së për pagesa vjetore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.