Taksa e pronës, Tabaku: Mbi 100 mijë biznese paguajnë dyfish
Mbi 100 mijë biznese në vend përballen me dyfishimin e taksës së pronës. Denoncimi është bërë nga nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku, sipas së cilës edhe pse kadastra fiskale nuk ishte gati, qeveria nisi aplikimin e metodologjisë së re të taksës së pronës. Tabaku theksoi se aktualisht një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku.
“Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku. Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve. Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë. Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit”.
Sipas Tabakut, për shkak të barrës së rënë fiskale të aplikuar nga qeveria, në 4 muaj, janë mbyllur mbi 5 mijë biznese.
Brenda 5 viteve në pushtet, Edi Rama, që premtoi uljen e taksave për 97 për qind të shqiptarëve, Rriti taksën e qarkullimit me 150%,Rriti tarifat e arsimit të lartë me 30%, Rriti energjinë elektrike me 24% për treçerekun e rriti familjeve, Rriti tatimin mbi të ardhurat personale me 23%, Rriti tatimin mbi fitimin nga 10% e rriti në 15%. Qeveria socialiste dhe kryeministri Rama e kanë shndërruar mekanizmin e politikës fiskale në një armë me të cilën godasin pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe amnistojnë dhe u falin taksa oligarkëve pranë tyre”.
Tabaku ripërsëriti, se në qendër të platformës ekonomike të Partisë Demokratike, është taksa e sheshtë si dhe ulja e taksave për çdo qytetar dhe çdo biznes.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.