Taksa mbi pasurinë në Francë – Kthehet në debat për kandidatët, largon sipërmarrësit nga vendi

Taksa mbi pasurinë në Francë ka sjellë një barrë për sipërmarrësit prej kohësh, duke nxitur largimin e tyre jashtë vendit.
Që prej prezantimit 35 vite më parë, taksa është hequr, rivënë apo riformuar nga qeveritë pasuese.
Tashmë, kjo taksë (impôt de solidarité sur la fortune), që aplikohet ndaj atyre me një pasuri personale prej të paktën 1,3 milionë euro, është rikthyer në një temë debati në fushatën presidenciale.
Kandidati i qendrës së djathtë, Francois Fillon kërkon heqjen e taksës. Kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, kërkon që të mbulojë vetëm pronën, përjashtuar investimet, që sipas tij do të lejonte më shumë kursime që të kanalizohen drejt ekonomisë reale.
Të dy synojnë një paketë të reformave fiskale që do të nxjerrë ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës nga rritja anemike.
Ndërkohë, kandidatët e tjerë kanë një qasje më të ashpër mbi pasurinë. Kandidati i ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon, kërkon një rritje të ndjeshme të barrës tatimore, për ata që fitojnë më shumë se 360 mijë euro në vit.
Liderja e ekstremit të djathtë, Marinë Le Pen, e ka kritikuar Macron si një bankier investimesh për Rothschild, duke e etiketuar si “kandidatin e financave”.
Sondazhet tregojnë për një garë të ashpër mes Le Pen dhe Macron në raundin e dytë. Kritikët e këtij tatimi thonë se pengon krijimin e pasurisë dhe bashkuar me nivelin e lartë të taksës për fitimin kapital, detyron që sipërmarrësit të largohen nga vendi, duke marrë me vete; vendet e punës, investimet, inovacionin dhe të ardhurat nga taksat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.