Taksa turistike – Nga Gjermania në Greqi, si ndryshon varësisht vendeve
Në shumë vende të botës turistët janë të detyruar të paguajnë të ashtuquajturën ‘taksën turistike.’ Ajo ka për qëllim zhvillimin e infrastrukturës ose minimizimin e dëmeve nga pushuesit, duke përfshirë pastrimin e plazheve, restaurimin e ndërtesave në qendrat historike dhe përmirësimin e mjedisit urban. Ndërkohë, tendenca aktuale në Europë tregon një rritje të kësaj tarife, e cila ndryshon nga shteti në shtet.
Gjermani
Në Gjermani, taksa turistike ditore përcaktohet nga autoritetet e shteteve së bashku me shoqatat turistike. Në shumicën e qyteteve dhe vendpushimeve pagesa bëhet pas mbërritjes. Tarifat ndryshojnë varësisht vendeve. Për shembull, në Berlin dhe në Këln, turistët duhet të paguajnë 5% të kostos së qëndrimit në një hotel. Në Dresden, taksa turistike është 1.3 euro për person në ditë.
Spanjë
Në Spanjë, turistët paguajnë një tarifë me mbërritjen në hotele apo hostele. Taksa vendoset për çdo turist të rritur, ndërsa fëmijët nën 16 vjeç janë të përjashtuar nga kjo tarifë. Kjo e fundit, varet nga kategoria e akomodimit, pasi hotelet me 5 yje paguajnë një tarifë prej 2.5 euro për person në ditë. Në hotelet me 4 yje pagesa është 1 euro për person në ditë, ndërsa në kategoritë e tjera taksa është 0.5 euro.
Francë
Në Francë, taksa turistike ka një histori prej mbi 100-vjeçare. Për shembull, në Paris, një taksë qyteti paguhet nga turistët. Si rregull, turisti e paguan atë në objektin e akomodimit. Nëse dhoma është rezervuar dhe pagesa është kryer përmes internetit, atëherë turisti paguan tarifën pas largimit nga hotelit. Edhe në kryeqytetin francez tarifa varet nga kategoria e hotelit. Ajo varion nga 0.88 euro në ditë për hostele në 3.3 euro në hotele me 5 yje.
Itali
Shkalla e taksës së turizmit ndryshon nga 1 në 5 euro për natë në Itali, varësisht nga lloji i akomodimit dhe kategorisë së hotelit. Vetëm në hotelet e Romës qytetarët duhet të paguajnë deri në 10 euro taksë për një natë. Sipas ligjit italian, në disa raste, komunat e vendit mund të vendosin një taksë të vetme turistike për klientët e hotelit, pavarësisht nga numri i netëve të qëndrimit. Tarifa paguhet në fund të periudhës së qëndrimit. Në disa qytete, hotelet përfshijnë tatimin në tarifën e dhomës me qëllim që të thjeshtësohet procesi.
Rusi
Nga 1 maji 2018, një tarifë turistike filloi të mblidhej nga klientët e strukturave akomoduese në qytetet turistike të Altajit dhe Stavropolit. Pagesa zbatohet vetëm për të rriturit dhe arrin nga 10 deri në 30 rubla ruse për person në ditë. Që nga korriku taksa turistike po mblidhet edhe në disa qytete në rajonin e Krasnodar, e cila është aktualisht 10 rubla. Ndërkohë, gjoba për mospagimin e taksës varion nga 500 deri në 2 mijë rubla.
Greqi
Prej 1 janarit 2018 në Greqi, një tarifë u prezantua edhe për klientët e hoteleve. Ajo funksionon gjatë gjithë vitit dhe shuma varet nga kategoria e akomodimit. Ajo paguhet pas mbërritjes në hotel. Tarifa ndryshon nga 4 euro për një hotel me 5 yje në 0.50 euro për hotelet me 1-2 yje. Ndërkohë, taksa e apartamenteve varion midis 0.25 dhe 1 euro.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.