Taksat e reja mbi makinat ‘lëkundin’ Fiat-in – Vendos të rishikojë planin e investimeve 5 mld euro në Itali
Fiat Chrysler po rishikon planin e investimeve prej 5 miliardë euro për Italinë, pasi vendi ka miratuar masat e reja për blerjen e makinave me naftë dhe benzinë. Deklarata ka ardhur nga shefi ekzekutiv, Mike Manley, ditën e hënë, i cili tha se s’mund të japë më shumë detaje derisa të ketë përfunduar shqyrtimi.
“Kjo me siguri do të thotë se duhet të rishikohet përsëri. Është duke u shqyrtuar në këtë moment. Derisa ky shqyrtim të ketë përfunduar unë nuk mund të komentoj më tej”, tha Manley për gazetarët.
Prodhuesi i makinave tha në fund të nëntorit se miliardat do të investoheshin kryesisht në modele dhe motorë të rinj në Itali gjatë tre viteve të ardhshme, në përpjekje për të përmirësuar fabrikat dhe për të rritur gjithashtu vendet e punës.
Megjithatë, Italia miratoi në dhjetor masat e reja për t’u ofruar subvencione deri në 6000 euro për blerësit e automjeteve të reja me emetim të ulët të karbonit dhe vendosjen e taksave më të larta për makinat me benzinë e naftë.
Ndërkohë, kjo ka nxitur spekulime të reja që bizneset e vogla Comau dhe Teksid gjithashtu mund të largohen, sidomos pas tërheqjes së interesit nga blerësit e mundshëm në të kaluarën.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.