TANAP më përpara në ndërtim se TAP – Gazsjellësi gati në 2019-ën

Mbi 75% e punës për ndërtimin e gazsjellësit TANAP, i cili transporton gazin natyror nga Azerbajxhani në Turqi ka përfunduar, thotë Drejtori i Përgjithshëm i TANAP, Saltuk Duzyol.
Duzyol tha gjithashtu se ky gazsjellës po ndërtohet në dy faza, ku Faza-0 është rreth 142cm në diametër dhe 1334 km e gjatë. Ndërtimi i kësaj faze është shtrirë nga kufiri turko-gjeorgjian deri në Eskisehir, Turqi.
“Puna në këtë fazë do të vazhdojë deri në fund të qershorit 2018 dhe do ta dërgojë gazin në ‘BOTAS’ (Kompania Shtetërore e Naftës dhe Gazit) dhe Turqi. 2 miliardë metër kub gaz do të transportohen në Turqi vetëm vitin e parë. Më pas kjo sasi do të rritet në 6 miliardë metër kub në tre vite. Faza-1 më pas përbëhet nga një gazsjellës me diametër 120 cm, dy stacione matjeje dhe dy gazsjellës me diametër 90 cm që do të kalojnë në ngushticën e Dardaneleve”, vijoi Duzyol.
Sipas parashikimeve, transporti i gazit për në Europë do të nisë në 2020, në përputhje me implementimin e TAP, ndërsa infrastruktura do të jetë gati në mesin e 2019-ës. Gjithsesi TAP nuk pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.