TAP, 86% e kapacitetit e rezervuar ende pa nisur punën – Dyfishim kapaciteti nëse ka fluks
Prodhuesit e gazit natyror nga Fusha Shah Deniz 2 në Azerbajxhan kanë prenotuar rreth 8.6 miliardë metra kub në vit nga kapaciteti i planifikuar prej 10 bmc/vit i gazsjellësit TAP. Kjo bëhet e ditur nga kreu i komunikimit pranë Gazsjellësit Trans-Adriatik, Lisa Givert.
Kapaciteti është rezervuar përmes kontratave 25-vjeçare “dërgo ose paguaj”, për kur të nisë operimin gazsjellësi. Megjithatë TAP nuk ka dhënë detaje mbi kapacitetin e rezervuar nga secili prodhues.
Ajo që dimë është që këta prodhues përfshijnë British Petroleum të Britanisë së Madhe, Socar të Azerbajxhanit, Petronas të Malajzisë, Lukoil të Rusisë, NICO të Iranit dhe TPAO të Turqisë.
Në të ardhmen TAP planifikon të mbajë ankande publike të ndara për kapacitetin e mbetur, por me kontrata afatshkurtër. TAP do të ofrojnë gjithashtu mundësinë e tregtimit të kapacitetit dytësor, që do të thotë se kompanitë e treta do të mund të blejnë gaz nga kompanitë e sipërpërmendura që zotërojnë kapacitetin parësor.
Nëse do të ketë kërkesë TAP do të dyfishojë kapacitetin e tij në 20 miliardë metra kub në vit duke shtuar dy stacione kompresimi. Gjithashtu do të jetë e mundur lëvizja e gazit në të dyja drejtimet, duke lejuar gazit të shkojë nga Italia në Europën juglindore nëse do të jetë e nevojshme.
Nga korridori jugor i gazit, Azerbajxhani nisi transportin e gazit në Turqi në muajin Korrik, ndërkohë që seksioni TAP, nga Greqia në Shqipëri e deri në Itali planifikohet të nisë në vitin 2020.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.