TAP kryen 60% të punës në Shqipëri e Greqi – Albgaz pret marrëveshjen brenda vitit

Ndërtimi i gazsjellësit trans-adriatik po vijon me ritme të shpejta. Kompania TAP njoftoi të martën se ka përfunduar puna për saldimin e bashkimin e rreth 60% të tubave që do të kalojnë në Shqipëri dhe Greqi.
Kjo do të thotë se tashmë kanë përfunduar 458 kilometra nga 765 kilometrat ku do të shtrihet tubacioni i gazit në të dyja vendet.
Ndërkohë, Albgaz, kompania e zotëruar 100% nga shteti shqiptar me objektiv operimin e të gjithë shpërndarjes së gazit në vend, deklaroi për median azere “Trend” se është në negociata me konsorciumin e TAP për të ofruar shërbimin e mirëmbajtjes të gazsjellësit në pjesën shqiptare.
Sipas Albgaz, marrëveshja me TAP AG me shumë gjasa do të mbyllet brenda këtij viti.
Më herët gjatë vitit, në muajin Prill, Albgaz nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për të krijuar një joint venture me operatorin e transmetimit të gazit natyror grek DESFA, për të mirëmbajtur TAP në Shqipëri.
Ndërsa tashmë, Albgaz shprehet se nuk do të nxitohet në marrjen e një nisme të tillë me askënd, pa marrë më parë të gjitha detajet e punimeve, operacioneve, mirëmbajtjes, strategjisë e filozofinë nga TAP.
“Tani ne besojmë se jemi në një pozicion më të mirë, se sa kur u krijuam, pasi tanimë jemi një operator i sistemit të shpërndarjes i certifikuar nga rregullatorët shqiptarë dhe i njohur e certifikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Brenda Shtatorit 2017 do të marrim licencën e plotë. Pasi të ndodhin të gjitha këto, atëherë do të vazhdojmë bashkëpunimin me operatorë të tjerë të shpërndarjes për të zhvilluar potencialin e plotë të gazit në interesin më të mirë të Albgaz sh.a, dhe Shqipërisë”, thanë burime nga Albgaz për Trend.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.