TAP “peng” i ullinjve – Pezullohen punimet në Lecce, nuk zhvendosen dot 211 rrënjë
Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, i gjatë 3500 kilometra, ka mbetur peng i pak më shumë se 200 rrënjëve ullinj.
Në komunën e Melendugnos, provincë e Lecces në Itali, ku edhe do të përfundojë projekti i gazsjellësit, banorët dhe fermerët prej kohësh janë ngritur në protesta, pasi projekti parashikon zhvendosjen e pemëve të ullirit, rreth 211 të tilla.
Prefekti i Lecces ka pezulluar punimet përkohësisht duke i dhënë të drejtë protestuesve, të cilët refuzonin me çdo kusht zhvendosjen e tyre për të vijuar punimet.
Prefekti ka kërkuar sqarime të mëtejshme nga Ministri Italian i Ambientit, në lidhje me autorizimin që i është dhënë gazsjellësit për të zhvendosur ullinjtë, duke i vendosur si afat datën 30 Prill.
Pavarësisht se në Greqi dhe Shqipëri punimet janë prej kohësh në një fazë të avancuar, në Itali është punuar vetëm disa orë. Mëngjesin e 20 Marsit, protestuesit kundër TAP u përplasën edhe me forcat policore.
Në Itali, gazsjellësi do të shtrihet në vetëm 8 kilometra, dhe pavarësisht kësaj, çështja është vendosur në qendër të opinionit publik.
Qeveria dhe kompania parashikonin zhvendosjen e ullinjve vetëm 8 kilometra larg vendit origjinal, për ti rikthyer më pas kur të kenë përfunduar punimet.
Vendimi i prefektit rrezikon të shtyjë punimet me plot 6 muaj, pasi në rast se përgjigja do të vijë në fund të Prillit, ashtu siç është vendosur afati, në periudhën nga Maji në Tetor, nuk mund të lejohet zhvendosja e ullinjve, duke qenë se nuk do ti rezistonin dot.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.