TAP rehabiliton një tjetër rrugë në Shqipëri – Përfitojnë 3 mijë banorë të fshatrave të Korçës
Pas rehabilitimit të rrugës së Fierit dhe segmentit që lidh Bilishtin me fshatin Vishocicë, gazsjellësi TAP dhe kontraktorët e tij së shpejti do të përfundojnë rehabilitimin e rrugës 12.5 km që lidh fshatin Vithkuq me rrugën nacionale Korçë-Ersekë, tha konsorciumi.
Rruga është duke u rikonstruktuar në kuadër të rehabilitimit të rrugëve hyrëse dhe urave të TAP-it për transportimin e materialeve për ndërtimin e gazsjellësit. Ky segment rrugor është zgjeruar në pjesë të caktuara dhe më pas do të bëhet edhe asfaltimin i tij.
Përfitues të këtij investimi janë rreth 3 mijë banorë nga 12 fshatra të Korçës, konkretisht nga: Vithkuq, Lubonjë, Roshanj, Rehova, Gjanc, Leshnje, Shtylla, Trebicka, Grabocka, Stratoberdha, Cemerica dhe Panarit, ku tashmë ata mund të arrijnë më shpejt në qytetin e Korçës.
Në rajonin e Korçës, gjatë fazës së parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, TAP ka rindërtuar 9 ura dhe ka përmirësuar rreth 15.5 km rrugë. Ndërsa, në tërësi në të gjithë Shqipërinë, gjatë fazës së parë të rehabilitimit të rrugëve dhe rehabilitimit të urave, janë përmirësuar rreth 58 km rrugë, janë ndërtuar dy ura të reja dhe 40 ura ekzistuese janë rikonstruktuar.
Faza e dytë e rehabilitimit të rrugëve hyrëse, që përfshin rreth 120 km rrugë, kryhet nga AlbStar, një kontraktues lokal i kontraktorit TAP, Spiecapag. Deri në fund të qershorit 2018, më shumë se 80% e punimeve për fazën e dytë ishin përfunduar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.