TAP, sipas planit – Gjysma e punës në Shqipëri e Greqi, gati për fazën 2
Kontraktorët e gazsjellësit trans-Adriatik njoftuan se 47% e punimeve të fazës së parë në Greqi dhe Shqipëri ka përfunduar.
Pra, rreth 370 kilometra gazsjellës në të dy vendet është bërë gati për fazën e dytë të punimeve, njofton vetë konsorciumi.
Në Greqi, i gjithë gazsjellësi do të jetë 550 kilometra i gjatë, dhe në Shqipëri 215 kilometra. Pjesa tjetër, do të jetë në Itali, prej 8 kilometrash, por që është ende pezull, dhe prej 105 kilometrash në shtratin e detit Adriatik.
Projekti pritet të përfundojë në vitin 2020, dhe Bashkimi Europian e ka vendosur si prioritet kyç gazsjellësin, duke deklaruar vazhdimisht se përfundimi në kohë i punimeve është mjaft i rëndësishëm.
Deri më tani, me përjashtim të rastit italian, punimet në Greqi dhe Shqipëri kanë vijuar sipas planit, dhe nuk ka asnjë shtyrje.
Në Itali ndërkohë, punimet ende nuk kanë filluar, për shkak të përplasjeve mes autoriteteve lokale dhe banorëve të rajonit të Puglias me firmën kontraktuese.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.