TAP vë në lëvizje Qeverinë, të vendosen matësat – Vendimi: Operatorët e licencuar të furnizimit me gaz të kenë gati sistemin IT

Ndërsa ligji parashikonte që kompanitë e licencuara në tregun e furnizimit me gaz të kishin instaluar matësit inteligjentë që në mesin e vitit 2021, gjë që nuk ka ndodhur, një vendin i Qeverisë përcakton se kompanitë e licencuara në këtë shërbim, brenda dhjetorit 2022 do të marrin masat “Mbi ndërtimin e mjeteve të teknologjisë së informacionit me qëllim regjistrimin e aksesit në të dhënat e matjes së ‘QPI’ nga operatorët e rrjetit të gazit natyror”.
Sipas “Rregullores për përcaktimin e standardeve dhe kërkesave minimale të cilësisë së shërbimit dhe furnizimit në sektorin e gazit natyror”, të miratuar me një vendim të Bordit të ERE-s të vitit 2018, “Jo më vonë se 21.6.2021, OSSH-G, OST-G dhe çdo i licencuar tjetër përkatës do të ndërtojnë mjetet e përshtatshme, duke përfshirë edhe mbi bazë IT (teknologji informacioni), të aftë për të regjistruar dhe për të mundësuar aksesin në të dhënat aktuale dhe ato historike të QPI-së”.
Kjo sipas Shoqërisë Albagaz, nuk ka ndodhur, pasi asnjë kompani nuk ka pasur aktivitet gjatë vitit 2021 në shërbimin e furnizimit me gaz. Shkak për të cilin vetë kompania shtetërore Shoqëria “Albgaz” sh.a., verën e vitit 2021, ka kërkuar që afati i vendosjes së matësve elektronike të shtyhet deri në dhjetor 2021.
Çështja ka mbetur pezull edhe pse Albagaz ka përsëritur në janar të këtij viti kërkesën për shtyrjen e afatit. Ndërkohë që duket se gjërat kanë ndryshuar me nisjen e transmetimit të gazit pak ditë më parë nga TAP. Në fund të shkurtit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që detyron subjektet të kenë gati sistemet e matjes elektronike për konsumatorët fundorë brenda vitit 2022. “Drejtoria e Gazit Natyror të njoftojë shoqërinë “Albgaz” sh.a., çdo të licencuar në aktivitetin e furnizimit me gaz natyror, si dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për vendimin e Bordit të ERE-s, thekson Vendimi i Qeverisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.