“Targeti” i Ministrisë së Financave, Denaj: 10 % e stafit do të vijë nga radhët e studentëve të ekselencës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në kuadër bashkëpunimit mes ministrisë dhe këtij Fakulteti në kuadër të Paktit për Universitetin.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Denaj shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të mbështetur studentët e këtij Fakulteti, qoftë për punësimin e studentëve të ekselencës pas përfundimit të studimeve të tyre, por edhe sa i përket kryerjes së praktikave të punës në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e saj të varësisë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me institucionet e saj të varësisë, ka një numër total prej 5800 punonjës dhe ka vendosur si target që minimalisht 10 % e këtij stafi të vijë nga studentët e ekselencës.
Ministrja Denaj tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për punësimin e studentëve dhe stimul për arritjen e rezultateve shumë të mira gjatë studimeve të tyre.
“Ne kemi kontribuar jo vetëm në aspektin e mbështetjes për studentët e ekselencës, të cilët sot gjithnjë e më shumë janë duke u punësuar në Ministrinë e Financave dhe në sektorë të tjerë të administratës publike, por edhe me mbështetjen e studentëve që kryejnë praktikën. Ne këtë vit kishim 150, por kemi mundësi për më shumë, gati 1500.
E rëndësishme është që këta studentë që sapo kanë ardhur, me mesatare mbi 9.2 në vitin e parë, të përfundojnë arsimin universitar mbi 9, sepse punësimi është i sigurt dhe ky punësim në administratën publike për një ministri si MFE, me 5800 punonjës, me 10 % target minimal punësimi nga ekslentët, krijon mundësinë e 580 punonjësve për të hyrë në tregun e punës të administratës publike, vetëm për MFE”, u shpreh znj. Denaj.
Komuniteti i biznesit ka dhënë kontributin e tij në kuadër të zbatimit të projekteve në kuadër të Paktit të Universitetit. Ministrja vlerësoi këtë kontribut, i cili për Fakultetin Ekonomik ka qenë në shumën e gati 10.3 milionë lekëve të rinj, për ndërtimin e disa laboratorëve të informatikës, duke mundësuar përmirësimin e infrastrukturës mësimore në këtë Fakultet.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, sidomos sa i përket punësimit të studentëve të ekselencës pranë këtij dikasteri.
“MFE tashmë ka krijuar shumë hapësira. Më vjen mirë që studentët e ekselencës komunikojnë në vendet e punës ku kanë shkuar, pra është bërë një urë kalimi e studentëve dhe pedagogëve, me institucionin. Pra, veç bashkëpunimit që kemi firmosur në marrëveshjen midis nesh, tashmë ne kemi edhe “trupat tona” që janë në këto institucione dhe dua t’ju falënderoj për vizionin bashkëpunues mbështetës”, u shpreh Kule.
150 studentë të ekselencës janë punësuar deri më tani në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të Paktit për Universitetin dhe priten të punësohen akoma të tjera, pas thirrjes së dytë që u hap në muajin shtator.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.