Tarifa e transmetimit të energjisë – ERE miraton rritjen me 0.10 lekë, në 2018-ën bëhet 0.75 lekë/kwh

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për rritjen e tarifës së transmetimit për vitin 2018. Në shqyrtim u morën 4 variante, ndërkohë që referuar vendimit përfundimtar prej datës 1 janar 2018 kjo tarifë do të jetë 0.75 lekë/kwh, nga 0.65 lekë/kwh që është aktualisht.
Referuar varianteve të paraqitur nga OST, kërkohej rritje e tarifës deri në 1.52 lekë/kwh, ndërkohë që ndryshimi mbështetej te kostot e borxhit, humbjet dhe shërbimet ndihmëse, që do të blihet nga tregu i parregulluar.
Pak ditë më parë, ERE organizoi edhe një seancë dëgjimore, ndërkohë që drejtori ekonomik në OST Ervin Alliu, argumentoi se kjo do të rriste koston deri në 900 milion lekë.
Ndryshimi i tarifës së transmetimit parashikohet të mos reflektohet te konsumatori final, ndërkohë që ERE ka lënë të hapur mundësinë për një tjetër rishikim të tarifës në një moment të dytë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.