Tarifa më të lira për Albtelecom – AKEP shtyn vendimin pas dy muajsh
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, pas kundërshtisë nga ana e dy operatorëve më të mëdhenj në tregun e telekomunikacionit, vendosi ta shtyjë me 2 muaj vendimmarrjen mbi tarifat e operatorit të tretë, Albtelecom.
Kryetari i AKEP, Ilir Zela, i kontaktuar nga Top Channel, bën me dije se pavarësisht rezistencës, institucioni ka çdo të drejtë të diferencojë tarifat e kompanive duke ndërhyrë në treg.
“Në çfarëdo lloj rasti që do ndikohen shërbimet që ata përfitojnë ata do të përmirësohen dhe gjendja e tyre do të përmirësohet dhe nuk mund të përkeqësohet. Detyrimet që mund të vendosen ndaj një operatori që ka fuqi të ndjeshme në treg nuk mund të jenë të njëjta me detyrimet e një operatori që nuk e ka një fuqi të tillë”, tha Zela.
Projektvendimi parashikon se Albtelecom mund të përdorë tarifa më të ulëta për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit, ndërsa për dy kompanitë e tjera nuk do të ketë ndryshim tarifash. Kjo do t’u ofronte klientëve të operatorit të tretë çmime më të lira në raport me konkurrencën.
Sipas dy kompanive të tjera, ky është një favorizim i hapur dhe se bie ndesh me rregulloren e Bashkimit Europian, por edhe me ligjet në vend.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.