Tarifat e komunikimit – Rregullore e re për transparencën
Tregu i shërbimeve të komunikimit është sot një terren beteje mes operatorëve, që të gjithë duan të bindin përdoruesit se ofrojnë çmimet më të lira dhe më të leverdishme.
Për të rritur transparencën dhe qartësinë e kostove të këtyre shërbimeve, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hedhur në konsultim publik një rregullore të re, që vendos përcaktime të detajuara lidhur me publikimin e kushteve të shërbimit dhe sidomos të tarifave.
Informacioni duhet të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të operatorit dhe në pikat e shitjes. Ende sot, informacioni i ofruar nga operatorët e shërbimit të komunikimit, sidomos në materialet promocionale, ka probleme të transparencës.
Në paketa të veçanta, operatorët ofrojnë kohë bisede pa limit, por në fakt, po të kërkosh me detaje në kushtet e shërbimit, zbulon se kjo duhet kuptuar sipas një politike të përdorimit të drejtë, çka nënkupton se realisht një limit kohe komunikimi ekziston.
E njëjta gjë ndodh me internetin, kur pas konsumit të trafikut të parashikuar në paketë, abonenti zakonisht e merr shërbimin me shpejtësi të reduktuar, ose, në raste të veçanta, me kosto shtesë.
Disa vite më parë, operatori më i madh i shërbimeve fikse, Albtelecom, shkaktoi revoltë te përdoruesit, pasi i tarifoi për trafikun e internetit që tejkalonte sasinë e parashikuar në paketën mujore.
Por, një veprim i tillë nuk ishte i përcaktuar qartë në kontratë dhe në kushtet e ofrimit të shërbimit. Rregullorja e re e AKEP synon pikërisht të shmangë kushtet e paqarta ose evazive në ofrimin e shërbimeve, që mund të bëhen shkak për tarifim abuziv të përdoruesve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.