Tarifat godasin SHBA – Tregtia ngadalëson ekonominë, konsumi dhe investimet japin nxitje
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është ngadalësuar më pak se ç’pritej në tremujorin e tretë, ndërkohë që rënia e eksporteve të sojës si pasojë e tarifave tregtare, u kompensua nga shpenzimet e forta konsumatore. Kjo ka mbajtur rritjen ekonomike brenda objektivit të Trump, në 3% për këtë vit. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.5% në periudhën Korrik-Shtator me bazë vjetore dhe mori gjithashtu nxitje nga investimet në inventarë dhe shpenzimet qeveritare, sipas Departamentit të Tregtisë.
Ndërsa kjo normë erdhi poshtë rritjes prej 4.2% në tremujorin e dytë, ishte ende sipër potencialit të rritjes ekonomike, që sipas analistëve qëndron në 2%. Megjithatë, kishte faktorë paralajmërues ndaj zgjerimit ekonomik, që ka arritur tashmë vitin e 9 radhazi të rritjes, që është periudha e dytë më e gjatë në histori. Shpenzimet e bizneseve u ngadalësuan dhe investimet në shtëpi ranë për të 3-in tremujorë radhazi, duke treguar se reduktimet tatimore prej 1.5 trilionë dollarë kanë ndaluar së dhëni efekt dhe normat e larta të interesit po dëmtojnë tregun e pronave.
Stimujt fiskalë janë pjesë e masave të adaptuara nga presidenti Donald Trump, për të nxitur rritjen ekonomike në 3% në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, administrata është përfshirë në një luftë tregtare me Kinën dhe ngadalësimi i lehtë në tremujorin e tretë, reflektoi kryesisht tarifat e Pekinit ndaj eksporteve amerikane, përfshirë sojën.
Që prej atëherë, eksportet e sojës dhe jo vetëm, kanë rënë çdo muaj duke rritur deficitin tregtar. Nga ana tjetër, kërkesa e fortë brenda vendit, rriti importet e mallrave konsumatore, duke bërë që deficiti tregtar, t’i heqë 1.78% rritjes së PBB në tremujorin e tretë. Inventarët u rritën me 76.3 miliardë dollarë, duke i shtuar 2.07% rritjes së PBB.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.