Tarifat për lidhjet – Ja sa do paguhet OST nga operatorët e tregut

Enti Rregullator i Energjisë ka nxjerrë për konsultim rregulloren e re të procedurave për lidhjet e reja dhe të modifikuara që mes të tjerave përcakton tarifat që do të paguajnë operatorët e interesuar pranë Transmetimit pas aplikimit të bërë.
Këto tarifa sikurse bëhet e qartë do t’i paguhet Operatorit të Sistemit të Transmetimit për mbulimin e kostove administrative që vijnë si efekt i shqyrtimit, ndjekjes, dhe finalizimit të procedurës së lidhjes së re apo modifikimit të asaj ekzistuese.
Tarifat ndahen në dy lloje. Së pari është tarifa për aplikim e cila është fikse prej 500 mijë lekësh dhe paguhet në momentin e aplikimit. Kjo shërben për mbulimin e kostove të studimit të pranueshmërisë në rrjetin e transmetimit si dhe përgatitjen e dokumentacionit për marrëveshjen.
Tarifa e dytë është ajo për mbikëqyrje. Kjo tarifë do të jetë variabël në funksion të fuqisë së plotë të kërkuar të deklaruar nga përdoruesi dhe do të ketë vlerën 50 lekë/kvA (kilovolt/amper) por në të gjitha rastet nuk do të jetë më e madhe se vlefta kufi prej 2.5 milionë lekë” thuhet në rregullore.
Kjo tarifë paguhet pas nënshkrimit të marrëveshjes. Në kushtet kur po shkojmë drejt liberalizimit të tregut të energjisë dhe zbatimit të modelit të ri është e nevojshme që të përcaktohen edhe rregullat e reja për operatorët.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.