Tarifat Roaming, Bullgaria dhe Shqipëria marrëveshje brenda muajit – Komunikim i lirë në të gjithë Ballkanin?

Së shpejti do të nënshkruhet një memorandum në nivel qeverish mbi tarifat roaming mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të të Zi.
Lajmin e bëri të ditur ministri bullgar i Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Ivaylo Moskovski, ditën e enjte.
Ky memorandum do t’u mundësonte operatorëve të telekomunikacionit të lidhin marrëveshje mes tyre për të ulur çmimet e përdorimit të thirrjeve, mesazheve dhe internetit.
“Nuk mund të kemi tarifa 6-7 leva për minutë (3-3.5 euro) me Maqedoninë, Bosnjen apo Serbinë. Këto janë çmime monstruoze”, tha Moskovski, duke shtuar se ai pret që operatorët të nënshkruajnë marrëveshje deri në fund të vitit 2017.
Sipas ministrit, kjo marrëveshje vjen në kuadër të Presidencës së Këshillit Europian nga ana e Bullgarisë gjatë vitit 2018, ku një nga detyrat kryesore është angazhimi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ndërsa, shtoi se edhe investimet në infrastrukturë do t’i shërbejnë këtij qëllimi.
“Ndërlidhja e Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për përfundimin e korridorit 8, për të lidhur Sofjen dhe Shkupin me infrastrukturën e përshtatshme. Infrastruktura e transportit do të japë një perspektivë të përgjithshme zhvillimi jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë Bashkimin Europian”, tha Moskovski.
Gjatë presidencës bullgare, Shqipëria pret gjithashtu që të hapë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Marrëveshja nuk dihet nëse do të bëhet vetëm në formë dypalëshe mes Bullgarisë dhe vendeve të tjera, apo do të mundësojë zbutjen e tarifave roaming për të gjithë rajonin mes njëri-tjetrit.
Nënshkrimi i këtij memorandumi i hap rrugë mundësive për bashkëpunim në fushën e telekomunikacionit edhe me vendet e tjera të BE-së, ku tashmë është miratuar rrëzimi i barrierave roaming.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.